Universiteti i Gjilanit shpenzoi 13 mijë euro për udhëtime jashtë vendit

Universiteti i Gjilanit shpenzoi 13 mijë euro për udhëtime jashtë vendit

Vetëm gjatë vitit 2018 profesorët dhe stafi i Univerisitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” kanë bërë 13 udhëtime në vende të ndryshme, që i kanë kushtuar shtetit 13 mijë e 803 euro.
Sipas universitetit shumica e këtyre udhëtimeve janë bërë për shkak të marrëveshjeve me disa universitete, trajnime e konferenca të ndryshme.
Brenda peridhuës janar-dhjetor të vitit që e lamë pas, shtetet e vizituara nga stafi i UKZ-së ishin Londra, Austria, Bullgaria, Kroacia dhe Turqia por edhe shtetet fqinje si Shqipëria e Maqedonia.

Në të dhënat e siguruara nga KALLXO.com shihet se përveç Rektorit Bajram Kosumi e prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka që janë më të shpeshtë në udhëtime, në këto vizita kanë marrë pjesë edhe profesorë e zyrtarë për media të këtij universiteti,
Udhëtimet në Turqi kalojnë shumën e 5 mijë eurove
Shteti më i vizituar gjatë vitit që e lamë pas nga stafi i universitetit të Gjilanit ishte Turqia, ku për tri udhëtime atje janë dhënë nga kuleta e shtetit mbi 5 mijë euro.
Vizita e parë atje ishte bërë nga prorektori Dukagjin Leka, më 8 deri më 12 maj që ka kushtuar 204 euro.

Por shumë më shtrenjtë i ka kushtuar shtetit vizita tjetër në Turqi, e bërë nga drejtori për Buxhet dhe Financa, Valon Kllokoçi dhe zyrtari për Paga e Shpenzime, Nevzad Halimi.
Këta dy për pesë ditë për një trajnim kanë shpenzuar 2 mijë e 400 euro.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shihet se Kllokoçi dhe Halimi për mëditje vetes ia dhanë nga 306 euro kurse në shpenzime të tjera kanë harxhuar 890 euro.
Vizita tjetër e bërë në Turqi që ka kaluar shumën e 2 mijë eurove ishte i përbërë nga ky staf: Rektori Bajram Kosumi, prorektori Dukagjin Leka, prorektori tjetër, Naim Mustafa, zyrtarja për media, Minire Rexhepi dhe zyrtarja për marrëdhënie me jashtë, Luljeta Rexhepi.

Ky udhëtim ishte bërë më 28 nëntor deri më 2 dhjetor që kushtoi 2 mijë e 952 euro për mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera.
Ndërsa, sipas UKZ-së arysja ka qenë për të arritur një marrëveshje e për disa trajnime.
” Vizita në Turqi – 08/12 maj 2018 – Pjesmarrje në Konferencën vjetore të ENAI, vizita në Turqi – 29 maj – 2 qershor – Pjesëmarrje në trajnim. Vizita në Turqi – 28 nëntor – 2 dhjetor 2018 – nënshkrimi i marrëveshjes me Universitetin Namik Kemal dhe vizita në Universitetin e Çanakales”, thuhet në përgjigjen e UKZ-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

UKZ harxhoi 2 mijë euro për udhëtimin në Austri
Në qershor të vitit 2018 ishte vizita e parë drejt Austrisë.
Udhëtimi i bërë më 18 qershor ku pjesëmarrës ishin përsëri Rektori Bajram Kosumi, Prorektori Dukagjin Leka dhe Profesori Selim Daku, kushtoi 1 mijë e 692 euro.

Sipas Universitetit “Kadri Zeka”, kjo vizitë është bërë në Salzburg për një trajnim.
“Vizita në Austri – 18/22 qershor 2018 – vizita në Salzburg/Austri në kuadër të trajnimit për ndërkombëtarizim dhe zhvillim të projekteve ndërkombëtare”, thuhet në një përgjigje të UKZ-së për JnK.

Austria u vizitua nga rektori Bajram Kosumi dhe prorektori Dukagjin Leka vetëm pak muaj më vonë. Ata më 13 nëntor udhëtuan drejt këtij që kushtoi 1 mijë e 761 euro.
Edhe kësaj radhe trajnimi ishte arsyeja e vizitës së Austrisë sipas UKZ-së.
“Vizita në Austri – 13/15 nëntor 2018 – vizita në Austri për pjesmarrje në konferencë dhe në trajnimin e “Buddy Training”, thuhet në një përgjigje për JnK.

Udhëtimi tjetër që ka kaluar “1 mijëshen” është bërë në Kroaci më 18 qershor deri më 21 qershor të vitit që e lamë pas.
Stafi i cili mori pjesë në këtë udhëtim ishte prorektori për Çështje financiare Gëzim Tosuni dhe profesori Arben Mustafa.
Kjo vizitë sipas UKZ-së ishte bërë për një konferencë dhe ka kushtuar 1 mijë e 155 euro për mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera.

Destinacioni i radhës nga rektori Bajram Kosumi dhe prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka ishte Bullgaria.
Kosumi dhe Leka për vetëm dy ditë sa kanë qëndruar aty i kanë harxhuar shtetit 811 euro.

Edhe ky takim sipas universitetit të Gjilanit “ishte bërë për vizitë në Universitetin e Sofjes dhe pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare për Ballkanin dhe të ardhmen e tij në Evropë”.

Prorektori Leka megjithatë në një udhëtim në Londër e kishte “tradhëtuar” Kosumin. Ai në këtë udhëtim të bërë gjatë muajit prill kishte përfituar mëditje 336 euro dhe shpenzime të tjera 105 euro.

Sipas UKZ-së ky udhëtim ishte bërë për një trajnim. “Vizita në UK/Londër – 23/27 prill 2018 – Pjesmarrje në trajnim/konferencë”, tha UKZ.

Vizitat në Maqedoni e Shqipëri mbi 2 mijë euro
Përveç shteteve të tjera europiane, stafi i universitetit publik të Gjilanit “Kadri Zeka” kanë udhëtuar shpesh në Maqedoni e Shqipëri.
Tri udhëtime në Shqipëri e dy në Maqedoni i kanë kushtuar kuletës së shtetit 2 mijë e 341 euro.

Udhëtimi i parë i bërë në Shqipëri ishte muajin janar të vitit 2018, ku Kosumi dhe Leka kishin shkuar atje që të arrijnë marrëveshje me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ani pse ky universitet nuk ka asnjë degë të mjekësisë.
“Vizita në Shqipëri – 11-13 Janar 2018 – Marrëveshja me Universitetin e Mjeksisë në Tiranë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
E ky udhëtim që ishte nga 11 janari deri më 13 janar i ka kushtuar shtetit 827 euro.
Udhëtimi tjetër i bërë në Shqipëri ishte më 26 nëntor nga Bajram Kosumi, Dukagjin Leka dhe Naim Mustafa u paga nga taksat e qytetarëve 570 euro.

Kjo vizitë sipas universitetit të Gjilanit ishte “vizitë në Presidencë të Shqipërisë”.
Ndërsa, vizita tjetër drejt Shqipërisë ishte bërë në muajin e fundit të vitit 2018 nga rektori Bajram Kosumi e profesori tjetër Merxhan Avdyli, por këta me vete kishin marrë edhe vozitësin Naser Abazi.

Sipas Universitetit të Gjilanit kjo vizitë ishte bërë për një konferencë në Universitetin e Gjirokastrës.

“Vizita në Shqipëri – 06/07 dhjetor 2018 – Vizita dhe Konferenca në Universitetin e Gjirokastrës”, thuhet në arsyetimin e UKZ-së.
Kurse, me 22 mars stafi i UKZ-së udhëtoi në Maqedoni për të nënshkruar një marrëveshje me një universitet atje.
Por në këtë shtet nuk ishin vetëm rektori dhe prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Këtij udhëtimi i’u bashkangjit edhe zëvendës kryesuesi i Këshillit Drejtues të universitetit, Artan Haziri, ku i harxhuan 176 euro për një ditë.

“Vizita në Maqedoni – 22 Mars 2018 – Marrëveshja me Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup”, tha UKZ për JnK.
Mirëpo, në të njëjtin muaj ndodhi edhe një vizitë tjetër në këtë shtet, ku pjesëmarrës ishin më shumë persona e që kuletës së shtetit i’u harxhuan 504 euro e cent.

Sipas Universitetit “Kadri Zeka”, ky udhëtim ishte bërë “për konferencën dhe mbledhjen vjetore të BUA-s (Balkan University Associations) e ku UKZ është themeluese e saj”.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë në total të gjitha udhëtimet e bëra të universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan kanë kushtuar 13 mijë e 803 euro, ku në to përfshihen 7 mijë e 749 euro mëditje, 2 mijë e 908 euro akomodimi dhe shpenzime të tjera 3 mijë e 147 euro. Kallxo.com

06Press

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *