Çfarë do të sjellë e ardhmja për Xherdan Shaqirin?
Sulmuesi i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri ka një të ardhme të pazgjidhur.
Përderisa ishte futbollist me ndikim të lartë në pjesën e parë të edicionit të kaluar për Liverpoolin, mesfushori nga Kosova nuk e ka të garantuar aspak pozitën e titullarit në formacionin e Jurgen Klopp, shkruan “Liverpool.com”.
Shaqiri ndihmoi Liverpoolin të arrijë në kuotën e 97 pikëve në Premierligë si dhe ta fitojë Ligën e Kampionëve, derisa paraqitja e tij më e mirë ishte kundër Manchester Unitedit.
Me t’u inkuadruar nga banka rezervë, Shaqiri shënoi dy gola për t’ia dhuruar fitoren Liverpoolit kundër “Djajve të Kuq”, por më pas minutazhi i reprezentuesit të Zvicrës ra drastikisht.
Tani, 27-vjeçari i është bashkuar skuadrës në Evian të Francës për t’i vazhduar përgatitjet para-sezonale, derisa lëndimin në kofshë e ka eliminuar.
Fokusi i tij tani do të jetë në atë se çfarë mund të bëjë te Liverpooli, pasi gjasat për t’u larguar para mbylljes së afatit kalimtar veror janë të vogla.
Edicioni i tij i dytë në Liverpool mund të jetë i mbarë, derisa edhe vetë Shaqiri mendon se mund t’i ofrojë Liverpoolit më shumë tani.