Osmani arsyeton humbjen e LDK-së në Gjilan, thotë s’është njëjtë gara ndaj Kurtit si ndaj Kurteshit

Osmani arsyeton humbjen e LDK-së në Gjilan, thotë s’është njëjtë gara ndaj Kurtit si ndaj Kurteshit

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka arsyetuar humbjen e partisë së saj në Gjilanin e Lutfi Hazirit, ndaj Vetëvendosjes. LDK-ja në Gjilan është mbrapa me 13 për qind, ose rreth 5 mijë e 600 vota.

Osmani ka thënë se angazhimi i Lutfi Hazirit ka qenë në tërë Kosovën, dhe jo vetëm në Gjilan.

“Kjo e ka hendikepuar atë, meqë nuk ka mundur të merret vetëm me Gjilanin, por ka qenë në tërë Kosovën, me kërkesën tonë si shef i Shtabit Zgjedhor”, ka thënë Osmani.

“Nuk po e arsyetoj, por askush nuk mund të bëjë me gisht ndaj askujt se nuk ka punuar si duhet e sa duhet. Unë dua të falënderojë të gjithë ata që kanë punuar natë e ditë, dhe që më kanë përkrahur parezervë”, ka shtuar më tej.

Osmani ka thënë se megjithatë njerëzit në nivel lokal votojnë ndryshe në nivel qendror.

“Ndryshe është kur konkurrenca është në mes të Kurtit, e ndryshe kur ajo është kundër Ismail Kurteshi”, ka thënë ajo, duke aluduar në garën në mes të Lutfi Haziri dhe Ismail Kurteshi për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet e kaluara lokale.

Tutje, Osmani ka thënë se do të tregohej mosmirënjohëse dhe nuk do ta thoshte të vërtetën nëse do të deklarohej ndryshe.

Megjithatë, sipas Osmani, është me rëndësi se LDK-ja, është rritur me rreth 25 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përgjithshme.

“Sipas kalkulimeve tona ne kemi një rritje prej mbi 50 mijë votash. Duke hequr AKR-në dhe Alternativën nga zgjedhjet e kaluara, me të cilat garuam bashkë, i bie që kësaj here kemi rritje prej rreth 25 për qind. Garuam vetë dhe bëmë mirë që garuam vetë. Ishte shumë me rëndësi që t’i masnim forcat”, ka thënë Osmani, në Rubikon të KTV-së.

06Press

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *